PRIZRENI ME RAJON

“Pishina shëruese” në fshatin Banjë të Malishevës

“Pishina shëruese” në fshatin Banjë të Malishevës
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Qershor 2022, 15:34

Është i gjatë 50 metra dhe i thellë 2 metra. Kjo është pishina në të cilën buron banja e Malishevës, në të cilën vizitorët vijnë me shpresën se shëron sëmundje.

Banorët thonë se ajo u ndërtua në vitin 1975, duke u vënë së pari në shërbim të mullinjve, pastaj në bujqësi e tani në shëndet të qytetarëve. Rrjedha e tij është vazhdimësi e lumit Mirusha, nga i cili krijohet atraksioni i ujëvarave të Mirushës.

Ujin që buron 220 litra në sekondë e vizitojnë rreth 200 qytetarë në javë, disa për argëtim e disa për shërim.

Milaim Shala, banor i këtij fshati, ka thënë se shumë persona janë shëruar nga ky ujë, e të cilët kanë pasur probleme me lukth apo me lëkurë.

“Përdoret për rekreacione të ndryshme për sport sikurse që janë klubet e notit ku i mbajnë garat e tyre. Ndërsa vizitorët e shfrytëzojnë për pije e shërim. Nga prilli deri në shtator çdoherë ka vizitor, kryesisht përdor për sëmundjet e lëkurës, lukthit etj. Dallon prej vendeve të tjera, sepse është shërues dhe ky burim shkon direkt tek ujëvara e Mirushës”, u shpreh Shala. “‘Pishina shëruese”, e ashtuquajtur nga banorët, ka një rëndësi të madhe për të gjithë banorët e fshatit Banjë, dhe si e tillë, duhet të mirëmbahet”.

https://www.youtube.com/watch?v=nTp2h7DC_RE

Sipas tij, pishina është lënë pak pas dore.

Rexhep Kryeziu disa herë në javë merr rrugë nga Suhareka për të marrë ujë këtu, sepse beson se ai është shërues .

“Këtë ujë e kemi marrë për sëmundjen e lëkurës herë pas here edhe fëmijët i bie për not. Kemi pishina të ndryshme, por uji i burimit natyral është më i mirë. Ia vlen të bëhet investime se që 49 vjet nuk janë bërë investime. Për këtë burim natyral, vijnë shume edhe nga vende të tjera sikurse unë Suhareka”, tha Kryeziu.

Refki Buzhala, punon si rojë pishine dhe kërkon kujdes nga ata që nuk dinë not.

“Për fillestarët që nuk dinë not, ju kisha lutur të mos kenë kujdes ose ndonjë përcjellës. Ata që nuk dinë not, kam dëshirë të lajmërohen, sepse unë i ndihmoj për të mos ndodhur ndonjë fatkeqësi. Në të kaluarën kanë ndodhur raste ku kanë vdekur persona nga pakujdesia, por fatmirësisht tani nuk kemi pasur ndonjë rast që ka pësuar me fatalitet. Interesimi më shumë është nga moshat e vjetra, por së fundi kanë filluar edhe moshat e reja të vijnë në ketë bazën. Këtu bëhen aktivitete të ndryshme, si kampionati i klubeve të notit nga e gjithë Kosova”, u shpreh Buzhala.

Përveç pishinës së madhe, këtu ndodhet edhe pishina e vogël që shërben për fëmijët. Për banorët është pa pagesë, ndërsa për vizitorët hyrja është 3 euro.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika