Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prizren ka reaguar ndaj akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, e cila një ditë pas zgjedhjeve të 12 tetorit ka akuzuar PDK-në për blerje votash. Përmes një komunikatë, PDK-ja vlerëson se kultura demokratike dhe sjellja qytetare e treguar nga banorët e Prizrenit në ditën e zgjedhjeve ka qenë shembullore dhe pa incidente, ndërsa i kundërshton fuqishëm pretendimet e LVV-së.
“As qytetaria e Prizrenit e treguar të dielën dhe kultura demokratike pa asnjë incident nuk i ka mjaftuar partisë së dytë që të ankohet ende pa përfunduar numërimi i votave,” thuhet në reagimin e PDK-së, e cila nënvizon se sulmet e tilla janë të pakuptimta dhe të panevojshme.
“Jo gjithmonë sulmi është mbrojtja më e mirë! Prizreni foli qartë më 12 tetor duke e përkrahur punën e jo arrogancën! Njëjtë do të veprojë edhe pas një muaji sepse na presin shumë punë e projekte të mëdha të transformimit të qytetit,” theksojnë nga PDK-ja në Prizren.





