Policia e Kosovës ka parandaluar një garë ilegale të shpejtësisë në rrugën “Ukshin Hoti” në Prizren, ku dy automjete janë hasur duke zhvilluar garë gjatë orëve të para të mëngjesit.
Sipas Policisë, rasti është evidentuar më 6 shtator, rreth orës 03:47, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së trafikut nga Njësitet Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren.
Të dy ngasësit janë ndaluar menjëherë dhe ndaj tyre janë shqiptuar masat ligjore. Secili prej tyre është gjobitur me 400 euro, i janë shqiptuar katër pikë negative dhe 10 muaj ndalim i drejtimit të automjetit.
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin sjelljet e rrezikshme dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë.