Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar sot, më 24.06.2026, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet A.G., nën dyshimin se ka kryer veprën penale: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, me pasojë vdekjen e një personi.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 22.07.2026.
Mbështetur në dyshimet e ngritura nga organet e drejtësisë, më 22.06.2026, rreth orës 08:15, në lagjen Arbana në Prizren, në një objekt banesor në ndërtim, A.G., në cilësinë e personit përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, dyshohet se nga pakujdesia nuk ka instaluar dhe siguruar përdorimin e pajisjeve mbrojtëse sipas rregullave teknike të sigurisë.
Gjykata ka bërë të ditur se i pandehuri, i cili ishte shofer dhe përgjegjës i pompës së betonit, dyshohet se nuk e kishte vendosur në mënyrë të sigurt pompën e betonit.
Gjatë zbrazjes së betonit nga mikseri, pompa kishte rrëshqitur, ndërsa si pasojë ishte shkëputur një gyp që kishte goditur në kokë viktimën V.M., duke i shkaktuar vdekjen.
Gjykata thekson se në këtë fazë të procedurës ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale, ndërsa vërtetimi i plotë i fakteve do të bëhet gjatë fazave të mëtejme të procedurës penale.
Sipas vendimit, paraburgimi është caktuar për të siguruar prezencën e të pandehurit dhe zhvillimin e papenguar të procedurës penale, duke pasur parasysh se hetimet janë në fazën fillestare dhe pritet të dëgjohen dëshmitarë, të merret në pyetje i pandehuri dhe të sigurohen prova të tjera materiale.