Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se e mbështesin protestën e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, më 12 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pak para verdiktit final në Hagë, raporton Ekonomia Online.
“Është thirrë një protestë nga “Liria ka Emër” më 12 shtator ku ne si OVL u bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve por edhe ne t’i bashkëngjitemi protestës. Ne do ta mbështesim protestën, do të bëjmë thirrje që të dalim. Protesta të jetë një protestë e madhe, madhështore nga të gjithë qytetarët, nga veteranët, nga të gjitha strukturat. Por nuk mund të jemi aty ku ata i bëjnë thirrje Vetëvendosjes, ku ne e dimë lideri i tyre në Parlamentin e Kosovës i quante kriminelë Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët, ku thotë Serbia ka bërë krime, po më konsumues thotë ata mrapa meje janë kriminelë. Ju e keni dëgjuar dhe e keni, e dini se ku jemi këtu. Dhe nuk mund të jemi ato me deputetët e tyre ku të cilët na heqin nga paga minimale me ligjin e pagave para tre vjetëve, mos paça pasur se unë kam qenë në burg me ato ku na heqin nga paga minimale veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se sot janë në gjendje të tmerrshme, 67 me kancer, dhe ne s’mund të jemi. Edhe bëjmë thirrje, shoqatat e dalura nga lufta bashkangjiten në këshill organizativ. Kjo është kryesia e tyre”, tha ai.
Gucati, ka folur edhe për peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të cilin e kanë dorëzuar në Gjykatën Speciale, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Organizata e Veteranëve ka marrë një iniciativë për nënshkrimet apo peticionin ku kemi mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime dhe i kemi dorëzuar në Gjykatën Speciale, përlirimin e shokëve tanë nga burgu që mbahen padrejtësisht sot në Hagë. Takimet tona kanë qenë me ambasadat mike në Kosovë, këtë periudhë kemi dërguar mbi 300 letra personaliteteve ndërkombëtare, ku prej tyre janë 285 anëtarë të asamblesë së Këshillit të Europës, gjithmonë duke kërkuar drejtësi, barazi në Gjykatën Speciale. Takime me Parlamentin e Zvicrës, me deputetë zvicranë, takim me Parlamentin Evropian, takime në Vatikan, që kanë qenë prej një rëndësie më të madhe, ku kemi marrë një mbështetje shumë të madhe, për herë të parë zbret këmba e Organizatës së Veteranëve në Vatikan, që e kanë thyer protokollin, që i falënderoj Vatikanin që na kanë pritur në atë takim. Takimin me kryetaren e veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë në zyrën tonë dhe takimi i fundit me Ambasadën Amerikane”, ka shtuar Gucati.
Gucati ka deklaruar se Kryesia e OVL-UÇK-së ka marrë vendim që veprimtarinë e saj ta fokusojë në arenën ndërkombëtare dhe diplomatike, duke e kundërshtuar Gjykatën Speciale.
“Ne sot nga kjo mbledhje e Kryesisë kemi marrë një vendim. Ky vendim është marrë duke u bazuar në qëndrimin tonë që nga themelimi i Gjykatës Speciale, pasi që kemi qenë të bindur se ajo është politike dhe vazhdon të jetë e ndikuar me politika. Për këtë arsye, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe mundësinë e një vendimi politik, ne do të fokusohemi, veprimtaria jonë do të jetë gjithmonë në arenën ndërkombëtare diplomatike. Kemi pritur, i kemi bërë ftesë që të takohemi me shumë njerëz para seancës, të takohemi, kështu që ne tash do të shtrihemi në rrugën diplomatike ndërkombëtare gjithmonë kundër Gjykatës Speciale. Po ashtu presim lirimin e tyre dhe shpresoj e besoj, siç besoni ju si media dhe siç besojnë qytetarët e Kosovës, edhe ne si bartës të organizatës së dalë nga lufta dhe shoqatat e tjera, jemi me shpresë se sa më shpejt t’i kemi këtu pranë familjeve të tyre, vendit të tyre dhe të liruar të lirë”, tha Gucati.
Gjithashtu, Gucati tha se pas mbledhjes morën vendim që Skender Llugiqit t’i largohet anëtarësia e OVL- UÇK-së.
“Ai ka të drejtë të jetë veteran, ka të drejtë t’i marrë pensionet, por s’ka të drejtë të jetë anëtar i organizatës. Skender Llugiqi, me fjalën e tij që e kemi dëgjuar sot në parlament, me fyerjet që i ka bërë gjeneralit Ramush Haradinaj, sot përjashtohet nga organizata e veteranëve të luftës dhe nuk ka të drejtë të jetë librezë apo të jetë anëtar i joni i organizatës.
Ai veteran mund të jetë i luftës, pa dyshim, mund t’i gëzojë të gjitha pensionet, por anëtar i joni nuk mund të jetë, anëtar i organizatës të veteranëve të luftës tek ne. Këto janë dy vendime që sot i ka marrë organizata e veteranëve. Kështu që jemi në pritje të pyetjeve të juve, nëse ka ndonjë kush”, tha ai./EO