Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së ish-kryetarit të Prizrenit, profesorit dhe ish-deputetit Eqrem Kryeziu.
Kurti ka kujtuar takimin e fundit me Kryeziun, i cili, siç ka shkruar ai, kishte ndodhur në shtëpinë e profesorit në Prizren, në fund të dhjetorit të vitit 2025.
“Diskutuam shtruar e këndshëm për atë ç’ka qenë dhe si është Kosova. Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore”, ka shkruar Kurti.
Ai e ka përshkruar Kryeziun si një njeri me mendim të thellë e të qartë, duke vlerësuar kontributin e tij në politikë, arsim dhe akademi.
Kurti ka theksuar se Kryeziu, përveç angazhimit politik në shërbim të Prizrenit, kishte zhvilluar një karrierë të gjatë si profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka kujtuar edhe kontributin e Kryeziut si ish-kryetar i Prizrenit, deputet nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ish-nënkryetar i LDK-së.
“Eqrem Kryeziu i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë”, ka shkruar Kurti.
Në reagimin e tij, kryeministri në detyrë ka përmendur edhe librin “Poetika e Zef Skiroit”, të cilin Kryeziu ia kishte dhuruar, duke e cilësuar si “të jashtëzakonshëm”.
“U prehtë në paqe!”, e ka përmbyllur Kurti reagimin e tij.