“War of Kosovo: 2033” është një videolojë në të cilën përdoruesi do të futet në luftëra që ndodhin në kohë moderne, sikur ato të vitit 2033. Videoloja është krijuar nga zhvillues kosovarë dhe ajo pritet të lansohet së shpejti. Megjithatë, në prag të lansimit ka marrë vëmendjen e serbëve që janë shprehur “të shokuar” e “të tronditur”.
Reagim për këtë kanë pasur edhe figura politike që kanë thënë se janë të tmerruar nga veprimet e kosovarëve. Ata madje akuzojnë se qëllimi i videolojës është të mbushë gjeneratat e reja me urrejtje.
“Sapo kur mendoja se kam parë e dëgjuar gjithçka nga ‘fqinjët nga Kosova’, ata më kanë befasuar me marrëzi e vrazhdësi të reja. Nuk kam dyshim se e vetmja që ata mendojnë është lufta dhe gjakderdhja. Tani, me aq sa kam parë, ata e kanë kthyer këtë në lojë. Mendoj se qëllimi është të mbushin gjeneratat e reja me urrejtje dhe me këtë të rrinë në qëllimin e tyre final për Shqipërinë e Madhe në mes të Evropës”, ka thënë deputetja serbe Snezana Paunoviq për “Hello!”.
Ndërkaq ish-deputetja Vjerica Radeta, e ka quajtur skandaloze videolojën. Sipas saj, ky është “provokimi i radhës”.
“War of Kosovo: 2033” është videolojë ku përdoruesi bëhet pjesë e luftës në kohëra moderne. Armët që përdoren në këtë videolojë janë krejtësisht moderne e futuristike. Loja zhvillohet në disa seri me Ushtri të Kosovës dhe Shqipërisë. Loja do të jetë në gjuhën shqipe dhe në atë angleze.