Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se gjyqtari i procedurës – Skender Çoçaj, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 25.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 24.02.2022, ndaj të pandehurit V.Ll., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 dhe veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
– Me dt. 29 dhjetor të vitit 2021, në fshatin Planejë, Komuna e Prizrenit, i pandehuri V.Ll., posedon armë në kundërshtim me ligjin për armë 05/L-022, në atë mënyrë që pa lejen e organit kompetentë ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën – pushkë automatike të llojit AK-47 dhe pushkën e gjuetisë të tipit të panjohur, të kalibrit 12 mm.Gjithashtu me datë 29 dhjetor të vitit 2021, në fshatin Planejë, Komuna e Prizrenit, i pandehuri V.Ll., me armë pushkë automatike të llojit AK-47 shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që derisa patrulla e policisë kufitare ishte e ndjekur atë, duke u larguar shtënë disa herë në drejtim të papërcaktuar, me ç’ rast vë në rrezik të madh jetën e zyrtarëve të policisë kufitare të sektorit të Vërmicës dhe inspektorëve të Ministrisë së bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural.





