Prizren, 16 qershor 2026 – Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy personave të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes që ndodhi më 14 qershor në fshatin Kobajë të Prizrenit.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit, e cila mund të zgjasë deri më 14 korrik 2026, është caktuar ndaj të dyshuarit Sh. O. për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe ndaj A. O., e dyshuar për veprën penale të shtytjes në “Vrasje të rëndë”.
Sipas dyshimeve të ngritura nga organet e drejtësisë, më 14 qershor, në fshatin Kobaj, pas një konflikti të mëhershëm të shkaktuar nga mosmarrëveshje mes palëve, i dyshuari Sh. O. dhe një i mitur, A. O., dyshohet se janë përfshirë fillimisht në një konflikt verbal e më pas fizik me viktimën A. O. dhe të dëmtuarin I. O.
Gjykata ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë përleshjes janë përdorur mjete të mprehta, me ç’rast viktima A. O. ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra në pjesën e gjoksit, ndërsa I. O. ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Sipas njoftimit, A. O. (nëna e të dyshuarve) dyshohet se ka nxitur kryerjen e veprës penale.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh fazën fillestare të hetimeve dhe rrezikun që të dyshuarit mund të ndikojnë në dëshmitarë, të pengojnë zhvillimin e procedurës penale ose t’i shmangen drejtësisë.
Po ashtu, në arsyetimin e vendimit theksohet se pesha e veprave penale, mënyra e kryerjes së tyre dhe rrethanat e rastit krijojnë dyshimin se lënia e të dyshuarve në liri mund të paraqesë rrezik për përsëritjen e veprave të ngjashme penale.
Gjykata ka theksuar se dyshimet e paraqitura në këtë fazë të procedurës nuk paragjykojnë fajësinë e personave të përfshirë dhe se faktet do të vlerësohen gjatë fazave të mëtejme të procesit penal.