Nisma Socialdemokrate – Dega në Prizren përmes një komunikate kërkon nga votuesit e saj që të mos bien pre e individëve të cilët nuk kanë qenë pjesë e projektit “Shpresë për Prizrenin”.
Ky reagim ka ardhur pas publikimit të zyrtares së Nismës Albulena Balaj-Halimaj, për të mbështetur kandidatin e LVV-së, Mytaher Haskuka, për kryetar të Prizrenit.
Komunikata e Nismës:
NISMA Socialdemokrate – Dega në Prizren, njofton anëtarët dhe simpatizantët e saj se individ të caktuar të cilët thirren në emër të Nismës, nuk kanë të bëjnë asgjë me ne tash e më shumë se gjashtë muaj, nuk kanë qenë as pjesë e listës e as pjesë e projektit tonë “Shpresë për Prizren”.
Çdo tendencë për manipulim me opinionin në këto momente vendimtare dhe tepër të nevojshme për ndryshim, është tendencë për t’ia zgjatur jetën Mytës dhe atyre që e kanë mbytë Prizrenin me krim të organizuar dhe korrupsion.
Nisma në Prizren dhe gjitha strukturat që kanë qenë aktiv në fushatë, janë përcaktuar për ta mbështetur Shaqir Totajn për kryetar të komunës, dhe për këtë ju ftojmë të festojmë bashkërisht në mbrëmjen e 14 nëntorit në sheshin shatërvan.
Zyra për Informim,
NISMA Socialdemokrate – Dega në Prizren.