Festivali i vjeljes së rrushit në Rahovec “Hardh Fest” ka filluar sot, me qëllim promovimin e vreshtarisë dhe trashëgimisë kulturore, që sivjet shënon edicionin e 21-të.
Motoja e edicionit të sivjetmë të festivalit është “Ca kokrra rrushi” dhe i kushtohet poetit të ndjerë rahovecas, Xhevdet Bajraj.
Agi Haxhimurati njëri ndër organizatorët e festivalit, thotë për KALLXO.com, që dita e parë po shkon mirë, dhe ka pasur turistë edhe nga vende të tjera.
“Hardh Fest-i është vendi i duhur për të promovuar trashëgiminë kulturore, mund të vizitohen vendet turistike e kulturore të Rahovesit, qëllimi është të promovojmë këtë kulturë edhe për audiencën e huaj”- tregoi Haxhimurati për KALLXO.com.
Sot gjatë ditës së parë u mbajt diskutimi “Brendimi i një vendi me potencial turistik dhe trashëgimia kulturore” u hap karnevali vjeshtar, ku janë shpallur vreshtaret dhe verëtarët më të mirë, si dhe është bërë hapja e panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë.
Festivali do të mbahet me 2, 3 dhe 4 shtator në Rahovec.
Sonte të përformojnë këngëtarët: Alban Skenderaj, Mentor Haziri dhe Hysen Kafexhiu&Band.
Hyrja në festival është falas.