LAJME

Kurti e Hamza takohen sot, në fokus presidenti dhe Specialja

Kurti e Hamza takohen sot, në fokus presidenti dhe Specialja
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Tetor 2026, 14:33

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, do të takohen sot pasdite, në orën 16:30, për të diskutuar zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

PDK-ja e ka lidhur mbështetjen për zgjedhjen e presidentit me procedimin e ndryshimeve në ligjin për Specialen, ndërsa Qeveria është në pritje të opinionit ligjor nga Ministria e Drejtësisë për propozimet e kësaj partie.

Kurti ka deklaruar se kanë nisur komunikimet me partitë politike për arritjen e një marrëveshjeje për presidentin, duke e cilësuar këtë fundjavë si vendimtare. Ndërkohë, Hamza ka përsëritur se për PDK-në, ndryshimi i ligjit për Specialen është parakusht për diskutimet rreth presidentit.

Ndryshimet e propozuara nga PDK-ja synojnë kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara në trajtimin e krimeve të përfshira në raportin e Dick Martyt, si dhe monitorim ndërkombëtar të punës së tyre. Projektligji parasheh gjithashtu që rastet e krimeve të luftës për të cilat janë dënuar katër ish-krerët e UÇK-së të gjykohen në Kosovë.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda afatit të përcaktuar kushtetues.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika