Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka pritur të enjten ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, në kuadër të iniciativës “Open Tech Thursdays”.
Gjatë takimit thuhet se u diskutua për zhvillimet aktuale të Universitetit në fushën e digjitalizimit, planet për avancimin dhe funksionalizimin e mëtejshëm të kapaciteteve digjitale, si dhe për projektet dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë dhe arsimit të lartë.
Në kuadër të takimit, Dr. Sc. Endrit Fetahu prezantoi projektet e realizuara në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, duke paraqitur punën dhe aktivitetet e zhvilluara në fushën e teknologjisë, digjitalizimit dhe inovacionit.
“Vizita u zhvillua në një ditë të veçantë për komunitetin universitar, pasi 1 tetori shënon fillimin e vitit të ri akademik 2026/2027. Në ambientet e Universitetit ishin të pranishëm edhe studentë të rinj, të cilët nisën rrugëtimin e tyre akademik. Takimi përbëri një mundësi për të shkëmbyer ide dhe për të diskutuar mbi zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve digjitale, inovacionin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe sektorit të teknologjisë.” – thuhet në njoftimin e Universitetit.
Ndërkaq, ministrit Jagxhiu ka bërë të ditur se “Open Tech Thursdays”, synon të krijojë dialog të drejtpërdrejtë me kompanitë, universitetet, organizatat dhe ekspertët e sektorit të teknologjisë.
“Universitetet janë pjesë thelbësore e këtij dialogu, sepse transformimi digjital nuk lidhet vetëm me teknologjinë dhe infrastrukturën, por mbi të gjitha me njerëzit, njohuritë dhe shkathtësitë që e bëjnë të mundur atë. Vizita në ditën e parë të vitit të ri akademik nuk ishte rastësi. Në një kohë kur sektori TIK në Kosovë po zgjerohet me shpejtësi dhe eksportet e shërbimeve TIK janë rritur rreth 455% në pesë vitet e fundit, pyetja për fazën e ardhshme është se si të zhvillojmë më tej talentin dhe shkathtësitë që kërkon ky sektor.” – theksoi ai.
Në diskutimin me rektorin Mentor Alishani dhe ekipin menaxhues të Universitetit të Prizrenit, ministrit thotë se u trajtua rëndësia e një lidhjeje më sistematike Universitet–Industri–Qeveri.
Në këtë drejtim, thuhet se u veçua edhe rëndësia e programeve profesionale në TIK që i ofron Unoversiteti, krahas programeve akademike, si dhe mundësia e bashkëpunimit në punên kērkimore aplikative.
Sipas njoftimit, një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe inteligjencës artificiale dhe kapaciteteve që universitetet duhet të zhvillojnë për të qenë pjesë aktive e këtij ekosistemi, nga infrastruktura dhe kapacitetet kompjuterike, të dhënat dhe hulumtimi, deri te talenti, aplikimet dhe qeverisja e AI.
Në këtë kuadër, KREN dhe mundësitë që ofron për transformimin digjital në arsim përbëjnë një tjetër komponent të rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve universitare, sipas Jagxhiut.
“Prizreni ka potencial të veçantë për këtë ekosistem. Universiteti “Ukshin Hoti”, ITP Prizren dhe kompanitë teknologjike krijojnë bazë për një lidhje më të fortë mes arsimit, inovacionit, industrisë dhe teknologjisë, me potencial për zhvillimin e mëtejshëm të shkathtësive digjitale, AI dhe inovacionit të aplikuar. Transformimi digjital kërkon më shumë se investime në teknologji. Kërkon talent, hulumtim, infrastrukturë dhe bashkëpunim. Pikërisht këtë lidhje synon të forcojë Open Tech Thursdays” – u shpreh ministrit Jagxhiu.