LAJME

Haxhiu: Më e rëndësishme është ta zgjedhim presidentin se sa të votojmë ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara

Haxhiu: Më e rëndësishme është ta zgjedhim presidentin se sa të votojmë ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Tetor 2026, 14:25

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioritet, duke kundërshtuar kushtëzimin e kësaj çështjeje me votimin e ndryshimit ligjor për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga PDK.

Haxhiu tha se nuk duhet të ketë “pazare” për zgjedhjen e presidentit dhe u bëri thirrje partive politike që të ulen dhe të diskutojnë për prioritetet institucionale.

“Unë kam përcjellë disa prej qëndrimeve të PDK-së, natyrisht që nuk janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues. Pra nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Sa i përket deklaratës së z.Hamza, meqë është kryetari i partisë po e marr si të mirëqenë, unë nuk jam që të bëhem pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin se sa që ta votojmë ligjin”, u shpreh Haxhiu.

Ajo tha se pas zgjedhjes së presidentit do të mund të trajtohej edhe projektligji për Dhomat e Specializuara, si dhe kërkesa e Kuvendit për një strategji të përbashkët lidhur me procesin në Hagë.

“Dhe për bindjen time më e qëlluar është strategjia e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, se sa të procedojmë nisma që ata vetë e dinë që mund të mos çojnë kërkund”, tha ajo.

Haxhiu ka kërkuar që institucionet dhe partitë politike të tregojnë përgjegjësi dhe konstruktivitet për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

“Prandaj prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin”, tha Haxhiu, duke shtuar se partitë duhet të kontribuojnë në zgjedhjen e presidentit dhe të lënë mënjanë, kalkulimet politike për zgjedhje.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika