Të shtunën në ora 19:00 do të jepet repriza e shfaqjes “Jerusalem”, në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”.
Ngjarja është e vendosur në Anglinë rurale, ku gjatë rrjedhës së shfaqjes kryepersonazhi Gjon “Gjel” Bajroni, interpretuar nga aktori Ernest Malazogu tregon përralla, dehet, drogohet, u shmanget autoriteteve, ndërkohë që magjeps dhe zemëron ata që i takon. Shfaqja hapet në mëngjesin e panairit lokal të qarkut dhe zbulojmë se Gjoni është njeriu më i popullarizuar dhe më irritues në qytet.
Autoritetet lokale duan ta dëbojnë, djali i tij dëshiron të kalojë ditën me të, banditi i qytetit dëshiron t’i japë atij një mësim dhe grupi i tij i rremë i miqve duan të festojnë me të. Pavarësisht të metave, ai shpreh qëndrimin kundër hipokrizisë së jetës moderne, me ç’rast shfaqja si tërësi tregon urinë e njerëzve për ndërtime të reja, por jo edhe për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë.





