Komuna e Malishevës është nga zonat më të rrezikuara endemike për shkak të rrezikut nga rriqrat. Këshillat që shpërndahen si broshura nëpër zonë sugjerojnë për banorët që dalin jashtë shtëpisë dhe në veçanti ata që punojnë tokën që të vishen me pantallona të gjata dhe të mbulojnë pjesët e trupit.
Hajdin Berisha, drejtor i Drejtoratit të Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, për Radio Kosovën thotë se gjatë këtij viti janë regjistruar 97 pickime nga rriqrat, por fatmirësisht nuk kanë përfunduar asnjë me fatalitet.
“Gjendja paraqitet e qetë. Kemi 97 raste të identifikuara që janë lajmëruar në QKMF “Shpetim Robaj” në Malishevë. I kanë hequr rriqrat dhe nuk ka ndonjë rrezik për ethet hemorragjike dhe ky është një lajm i mirë”, tha ai.





