Mbrëmë në „Loyola – Gymnasium“ në Prizren, para prindërve, nxënësve dhe mysafirëve të tjerë u bë prezantimi i kompanive gjermane në kuadër të AusbildungInitiative (Iniciativës së shkollimit profesional). Mbrëmjen e hapi drejtori ekzekutiv i ALG “Loyola-Gymnasium”, z. Elias Koller, i cili theksoi se iniciativa e shkollimit profesional konsiston në bashkëpunimin e kompanive nga Gjermania, të cilat janë veçanërisht të interesuara për talentët e rinj nga Kosova dhe u japin atyre mundësinë që të marrin trajnime praktike në profesione të ndryshme në sistemin gjerman të formimit të dyfishtë profesional. Iniciativa e trajnimit e ALG është e veçantë në Kosovë dhe ne jemi krenarë çdo vit që disa talentë të rinj arrijnë të marrin trajnime praktike në Gjermani. Baza e këtij suksesi tashmë është vënë që në shkollën fillore dhe në gjimnazin në ALG. Kështu, iniciativa e trajnimit demonstron vetëm një pjesë të punës sonë të suksesshme arsimore në dhe për Kosovën, tha në fjalën e tij z. Koller, drejtor ekzekutiv i ALG “Loyola-Gymnasium”.
Të pranishëm në këtë prezantim ishin përfaqësuesit e kompanive gjermane, të cilat tashmë kanë disa gjenerata të rinjsh kosovarë nga “Loyola-Gymnasium” të cilët gjithashtu studiojnë atje. Gjatë këtij takimi, prindërit e pranishëm mund të bënin pyetje dhe u informuan për hapat që pasojnë, pasi talentët e rinj t’i kalojnë me sukses intervistat e tyre dhe të marrin një kontratë pune në një kompani gjermane.






