Ka ndërruar jetë në moshën 54 vjeçare, profesori i Informatikës dhe Inovacionit, Tahir Hoxha. Ai ishte ndër njohësit e parë të teknologjisë informative në Prizren, në vitet ’80-ta. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë publik familja përmes një përkujtimi mortor në rrjete sociale. Profesori i ndjerë, Tahir Hoxha, qysh në fillim të moshës së re ka shprehur interesim për lëmin e kibernetikës, duke ndjekur kursin e parë të hapur në Prizren për këtë fushë. Pas përfundimit të kursit, ai vijon që të mbajë kurse për kibernetikë për të rinjtë tjerë prizrenas që nga vitet e 80-ta deri në fillimin e luftës në Kosovë.
Pas luftës, ai vijon me organizimin e trajnimeve për informatikë dhe të dizajnit grafik, por njëkohësisht duke i ndjekur dhe studimet. Arrinë të përfundojë fakultetin e Ekonomisë duke vazhduar më pas punën si profesor i Informatikës dhe Inovacionit në Qendrën e Trajnimeve të Universitetit Amerikan në Kosovë. Gjatë jetës së tij, ai ka kryer shumë punë inovative të IT-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, institucione shkollore, MASHT dhe Universitetet e Kosovës.






