Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa insiston se një koalicion mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje do të mund ta normalizonte vendin. Ai ka thënë se këto dy subjekte politike, bashkë me pjesën e deputetëve joshumicë, do të mund të zgjidhnin të gjitha ngërçet.
Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Mustafa është shprehur se ai e quan koalicion për normalitet dhe se bashkë do të krijojnë udhëheqje të mirë qeveritare.
“Koalicioni për normalitet që e them unë lë hapësirë për të diskutuar edhe për koalicion edhe më të gjerë. Janë numrat e mjaftueshëm bashkë me komunitetet joshumicë për të zgjedhur çështjet e duhura dhe për të krijuar normalitet. Unë e di që PDK-ja dhe Kurti me Vetëvendosjen mund ta normalizojnë vendin dhe mund të krijojnë trupa të mirë qeveritarë bashkë, edhe presidentin për të pasur zhvillime të mira të ecjes së vendit”, ka thënë Mustafa.
Thirrjen për një koalicion të tillë Mustafa e ka thënë tash e disa herë. Ai u ka bërë thirrje drejtpërdrejt kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, që të takohen dhe të diskutojnë për një marrëveshje.
Ndërkohë, PDK-ja është e vendosur të mbetet në opozitë derisa Kurti i ka bërë ftesë në vazhdimësi për takim.