Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel.
Kurti i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Schuebel në Kosovë dhe i ka uruar sukses në detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë. Në takim, Schuebel e ka uruar Kurtin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit dhe formimin e Qeverisë së re.
Sipas njoftimit, Kurti ka theksuar se Kosova mbetet e përcaktuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se po punon për këtë objektiv përmes një procesi të bazuar në merita.
Ai ka deklaruar se Kosova është plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, ndërsa ka veçuar përparimin në forcimin e demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për rëndësinë e stabilitetit institucional dhe funksionimit të Kuvendit, në kuadër të Agjendës së Reformave që lidhet me procesin e integrimit evropian. Sipas Kurtit, reformat janë kryesisht të natyrës ligjore dhe kërkojnë një Kuvend funksional.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe programet qeveritare që synojnë përmirësimin e mirëqenies, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.