LAJME

Kapiteni i FSK-së vlerësohet me titullin “Distinguished Honor Graduate” në SHBA

Kapiteni i FSK-së vlerësohet me titullin “Distinguished Honor Graduate” në SHBA
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Shtator 2026, 19:52

Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, E.V., ka përfunduar me sukses Kursin Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Army Special Forces Qualification Course – SFQC), në U.S. Army John F. Kennedy Special Warfare Center and School.

Pas më shumë se tetë muajsh trajnimi intensiv, nga janari deri në shtator të vitit 2026, kapiteni i FSK-së ka përfunduar me sukses programin e kualifikimit për Green Berets, i cili përfshin përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, si dhe kualifikimin 18A Special Forces Detachment Officer.

Pjesë e këtij procesi ka qenë edhe ushtrimi përfundimtar Robin Sage, një nga fazat kryesore të trajnimit për pjesëtarët që synojnë kualifikimin në Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane.

Në përfundim të kursit, kapiteni E.V. është vlerësuar me titullin “Distinguished Honor Graduate”, si dëshmi e performancës së lartë profesionale, aftësive drejtuese dhe përkushtimit të treguar gjatë gjithë procesit të kualifikimit.

Kjo arritje përbën një sukses të rëndësishëm profesional për pjesëtarin e FSK-së dhe njëkohësisht pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës për zhvillimin e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, ngritjen profesionale të kuadrove dhe forcimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të SHBA-së dhe partnerët strategjikë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdojnë investimet në edukimin dhe trajnimin profesional të pjesëtarëve të saj, përmes programeve dhe institucioneve prestigjioze ushtarake të vendeve partnere.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika