Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili sot deklaroi se sulmi në Banjskë është kryer nga Klani i Novi Sadit në krye me Vuçeviqin.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka thënë se i hedh poshtë këto deklarata dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë të reagojë.
“Theksojmë se në interes të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë, është e një rëndësie vendimtare që institucionet në Prishtinë të detyrohen që menjëherë të ndalojnë terrorin e përditshëm ndaj popullatës serbe, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe të formojnë menjëherë Asociacionin e Komunave Serbe. Gënjeshtrat e pacipë, fyerjet dhe shpifjet që Kurti nxjerr çdo ditë si pjesë e një fushate të ndyrë mediatike kundër shtetit të Serbisë dhe lidershipit të saj, zbulojnë plotësisht synimet e tij për të shkatërruar çdo mundësi për qetësimin e tensioneve”, thuhet në reagim.





