Ministria e Financave në krye me Hykmete Bajramin ka ndarë rreth 18 mijë euro për blerjen e një droni. Për arsyen e blerjes së kësaj pajisje, kanë folur nga Ministria e Financave.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Muharrem Shahini, i ka thënë Gazetës Express se fluturakja është blerë për nevoja të Departamentit të Tatimit në Pronë në këtë ministri, derisa ka treguar edhe arsyet e blerjes së kësaj pajisje.
Sipas Shahinit, fluturakja po iu nevojitet për inspektimin e pronave për nevoja të vlerësimit individual për shpronësime dhe këmbim, inspektimin e pronave për nevoja të tatimit në pronë në rastet e kontrollës së kualitetit të shënimeve në regjistrat e tatimit në pronë të regjistruara nga komunat dhe dokumentimin e gjendjes faktike gjatë inspektimit të pronave.
Por, këto nuk janë arsyet e vetme pse është porositur kjo pajisje. Ministria do ta përdorë këtë pajisje edhe për fotografimin e pronave në terrenet në të cilat qasja është e vështirë apo e pamundur.
“Pajisja mundëson fotografimin, evidentimin e pronave dhe ndërlidhja e tyre me të dhënat kadastrale të paraqitura në elaboratet e shpronësimit si kërkesa të ardhura në DTP nga subjektet kërkuese; Është pajisje për matje përmes imazheve dhe për përdorim profesional për nxjerrjen edhe të objekteve të cilat gjinden në terren dhe në elaborate të shpronësimit”, ka deklaruar Shahini për Express.
Ndryshe, në njoftimin për kontratë të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik, thuhet se vlera e parashikuar për këtë kontratë është 17 mijë e 500 euro.
Afati kohor për furnizim me këtë pajisje është 30 ditë, nga dita e dhënies së kontratës.
Kompanitë e interesuar për të kryer këtë furnizim kanë afat që t’i dorëzojnë ofertat e tyre deri më 6 nëntor, në orën 14:00.
“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për kontratë”, thuhet në njoftimin për kontratë./Gazeta Express