Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, sot ka marrë pjesë në aktivitetin “Roots & Flavors: Chef’s Day 2026”, të organizuar në kuadër të fushatës “Serve Your Future” dhe projektit HoReCa Kosovo të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), me rastin e Ditës së Kuzhinierit, në “Lura Agroturizëm”.
Me këtë rast, ai u shpreh se përgatitja profesionale e të rinjve, në përputhje me nevojat reale të tregut të punës, është çelësi për punësim të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik në vendin tonë.
Ai bëri të ditur se në këtë aktivitet, së bashku me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, koordinatorin e ILO-s për Kosovë, Blerim Murtezi, si dhe përfaqësues të institucioneve, profesionistë të gastronomisë dhe të rinj, diskutuan rëndësinë e aftësimit profesional për zhvillimin e sektorit të gastronomisë dhe mikpritjes.
Ministri njoftoi se për vitin 2027, kanë planifikuar zhvillimin e pesë kurrikulave profesionale afatshkurtra për profilet e kuzhinierit, ndihmës kuzhinierit, kamarierit, banakierit dhe recepsionistit.
Gjithashtu, ai thotë se kanë paraparë trajnimin e së paku 10 trajnerëve të Qendrave të Aftësimit Profesional, si dhe pilotimin e mësimit në vendin e punës në katër institucione të arsimit dhe aftësimit profesional, përfshirë një Qendër të Aftësimit Profesional.
Sipas Hotit, përmes këtyre masave synojnë të fuqizojnë Qendrat e Aftësimit Profesional dhe t’u mundësojnë të rinjve të fitojnë shkathtësitë dhe përvojën praktike që kërkojnë bizneset, duke krijuar një lidhje më të fortë ndërmjet aftësimit profesional dhe punësimit.
Ai falënderoi Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), Ambasadën e Italisë në Kosovë dhe të gjithë partnerët për mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e politikave të Ministrisë për punësim dhe aftësim profesional.
“Investimi në shkathtësitë e të rinjve është investim në të ardhmen ekonomike të Kosovës.” – përfundoi ministri Hoti.