Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, do ta përfaqësojë Kosovën sot më 20.10.2026, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), konfirmuan nga MPJD-ja për Kallxo.com.
Në këtë mbledhje do të shqyrtohet raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zhvillimet në Kosovë.
Mbledhja është caktuar të nisë në orën 15:00 sipas kohës lokale në Nju Jork, përkatësisht në orën 21:00 sipas kohës së Kosovës.
Në fokus të diskutimeve pritet të jenë zhvillimet politike, gjendja e sigurisë dhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë mbledhjes, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Peter Due, pritet të prezantojë raportin e fundit për Kosovën.
Raporti përfshin periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2026.
Konjufca kishte marrë pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën më 09.04.2026.
Në mbledhjen e 09.04. 2026, Glauk Konjufca kishte kritikuar raportin e UNMIK-ut, duke thënë se përmbante elemente të njëanshme që, sipas tij, nuk pasqyronin saktë zhvillimet në terren.
Ai e kishte cilësuar Kosovën si demokraci të qëndrueshme, me institucione funksionale, ndërsa kishte akuzuar Serbinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës dhe për pengim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Konjufca i kishte bërë thirrje Serbisë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, si dhe kishte kërkuar që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë.
Një nga kërkesat kryesore të tij kishte qenë edhe përfundimi i mandatit të UNMIK-ut. Ai kishte argumentuar se Kosova tashmë është shtet funksional dhe demokratik, duke propozuar që misioni të shndërrohet në një zyrë që do të lehtësonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Funksionimi efektiv i një shoqërie mbështetet në kohezionin shoqëror dhe integrimin brenda një kuadri të përbashkët ligjor dhe politik. Ky është një kuadër brenda të cilit shumë prej jush këtu në Këshillin e Sigurimit të OKB-së veproni kur bëhet fjalë për mbrojtjen e pakicave”-pati deklaruar Konjufca.
Në të njëjtën mbledhje, Konjufca kishte ngritur edhe çështjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke kundërshtuar përfshirjen e tyre në raportin e UNMIK-ut me arsyetimin se ato nuk burojnë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit.
“Përfshirja e një aneksi të gjerë mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përbën një keqkarakterizim të natyrës juridike dhe një tejkalim të autoritetit raportues të UNMIK-ut. Dhomat e Specializuara nuk janë krijim i Rezolutës 1244. Ato nuk u krijuan nga ky Këshill, nuk nxjerrin autoritet prej tij dhe nuk bien brenda mandatit të UNMIK-ut. Dhomat e Specializuara u krijuan nëpërmjet një amendamenti kushtetues të miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Baza e tyre ligjore rrjedh nga një shkëmbim dypalësh letrash midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian”- kishte thënë ai.
Ndërkaq, vitin e kaluar, Kosovën në këtë forum e përfaqësoi Donika Gërvalla, e cila në atë kohë ishte ministre në detyrë e Punëve të Jashtme./Kallxo.com