Në vlerësimin e “profilit të trafikimit”, Departamenti amerikan i Shtetit fakton sesi trafikantët e qenieve njerëzore po i shfrytëzojnë viktimat e trafikimit seksual në Kosovë. “Trafikantët rekrutojnë gra dhe vajza me premtime mashtruese për martesë, ose punësim si valltare dhe këngëtare dhe i detyrojnë viktimat të bëjnë trafikim seksual në shtëpi private, apartamente, klube nate e sallone masazhi”, thuhet në raport.
Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë, thuhet në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore në vitin 2025, duke e kategorizuar Kosovën përsëri në nivelin e dytë.
“Këto përpjekje përfshinin dënimin e më shumë trafikantëve dhe ndëshkimin e më shumë trafikantëve me burgim. Qeveria rriti fondet për ndihmën ndaj viktimave dhe përpjekjet për parandalimin e tyre. Qeveria kreu një vlerësim mbi zbatimin e planit kombëtar të veprimit 2024-2025 dhe zbuloi se pothuajse gjysma e objektivave ishin përmbushur”, thuhet në raportin e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit. Megjithatë, raporti vlerëson se Qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe.
Gratë e vajzat, viktima të dyfishta të trafikantëve
Në vlerësimin e “profilit të trafikimit”, Departamenti amerikan i Shtetit fakton sesi trafikantët e qenieve njerëzore po i shfrytëzojnë viktimat e trafikimit seksual në Kosovë. “Trafikantët rekrutojnë gra dhe vajza me premtime mashtruese për martesë ose punësim si valltare dhe këngëtare dhe i detyrojnë viktimat të bëjnë trafikim seksual në shtëpi private, apartamente, klube nate dhe sallone masazhi”, thuhet në raport, duke shtuar se shumë viktima të trafikimit seksual janë vajza nga Kosova, megjithëse trafikantët shfrytëzojnë edhe gra dhe vajza nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vende të tjera. “Trafikantët në Kosovë shfrytëzonin viktimat e huaja nga Shqipëria, Kolumbia, Meksika, Tailanda dhe Venezuela. Trafikantët i nënshtrojnë kosovarët ndaj trafikimit seksual dhe punës së detyruar në krejt Europën”, spikat raporti.
Hartuesit e raportit të diplomacisë amerikane shkruajnë se Kosova ndoqi penalisht më pak trafikantë të dyshuar dhe, derisa gjykatat shqiptuan më shumë dënime me burgim, “shumica e dënimeve ishin nën dënimin minimal të përcaktuar sipas ligjit të trafikimit”.
Kur vjen puna te ndjekja penale e rasteve, raporti i Departamenti të Shtetit thotë se neni 165 i Kodit Penal të Kosovës ka kriminalizuar trafikimin për qëllime seksuale dhe trafikimin për shfrytëzim pune, duke parashikuar dënime me burgim nga pesë deri në 12 vjet, si dhe gjobë, për veprat që përfshijnë viktima të rritura.
Trafikimi i fëmijëve lypsarë
Për veprat që përfshijnë viktima fëmijë, parashikohen dënime me burgim nga pesë deri në 15 vjet, si dhe gjobë, spikat raporti. “Këto dënime ishin mjaft të ashpra dhe, në rastin e trafikimit për qëllime seksuale, ishin në përpjesëtim me dënimet e parashikuara për krime të tjera të rënda, siç është përdhunimi”, theksohet në raport.
Vëzhguesit thonë se autoritetet kosovare nuk i hetuan të gjitha lypjet e detyruara nga fëmijët si trafikim. “Për shkak të procedurave të pamjaftueshme të identifikimit për lypjen e detyruar, qeveria nuk e parandaloi në mënyrë efektive penalizimin e papërshtatshëm të viktimave të mundshme vetëm për akte të paligjshme të kryera si rezultat i drejtpërdrejtë i të qenit të trafikuar”, vlerëson raporti i degës diplomatike të ekzekutivit të administratës republikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Qeveria nuk ofroi përpjekje për riintegrim dhe ndihmë tjetër afatgjatë, veçanërisht për fëmijët dhe viktimat që kërkojnë mbështetje psiko-sociale”.
Vëzhguesit kanë raportuar mungesë udhëzimesh dhe përpjekjesh proaktive për identifikimin e viktimave të lypjes së detyruar, veçanërisht fëmijëve, ngrit shqetësimin raporti. Lidhur me shtetasit e huaj të trafikuar në Kosovë, sipas vlerësimit të OJQ-ve, që u referohet raporti, Qeveria ofroi strehim, kujdes shëndetësor, këshillim, shërbime ligjore dhe ndihmë për riatdhesim direkt dhe përmes partneriteteve me organizatat e shoqërisë civile./Kallxo.com