Xhem Hoxha e ka pranuar fajësinë dhe është penduar se në nëntor 2024, përmes Facebook-ut premtoi nga 50 euro kushdo që e voton Albin Kurtin në fshatin Ngucat të Malishevës.
Ai akuzohet për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” ku dënimi parashihet me burgim prej një deri në pesë vjet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Hoxha e ka pranuar fajësinë se në nëntor të vitit 2024 bëri thirrje për të votuar Kurtin në këmbim të 50 eurove. Fillimisht, në seancë është bërë leximi i aktakuzës nga prokurori Enis Gashi.
“E pranoj fajësinë, jam pendu, premtoj se në të ardhmen nuk do të kryej vepra të tilla apo të ngjashme penale, asnjëherë s’jam marrë me parti, dhe asnjëherë s’kam votuar”, tha i akuzuari.
Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Hoxha është pajtuar nga prokurori Gashi. Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ergjyment Barbullushi.
“I mbrojturi im ishte korrekt me pranimin e fajësisë, duke e shprehur në mënyrë të vullnetshme, mirëpo gjykata me siguri do ta vlerëson këtë deklarim të mbrojtësit tim me të cilën potencon që qëllimi i tij ka qenë që të mahitet me këtë veprim dhe jo të përfitojë nga ai premtim”, tha Barbullushi.





