Lulu’s Dance Academy, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mbajti kampin e vallëzimit “Në gjurmët e traditës” që është një kamp pranveror vallëzimi popullor, i pari në Kosovë, për të rinjë nga e gjithë Kosova të cilët mësuan vlerën e kulturës së vallëzimit popullor dhe rëndësinë e ruajtjes së kësaj vlere në breza të tjerë duke marrë pjesë në prezantime, diskutime, vizita dhe mësim të valleve të ndryshme të rajoneve shqiptare.
Projekti kishte disa pikësynime:
1. Vetëdijësimi i pjesëmarrësve lidhur me rëndësinë e ruajtjes së vlerave trashëgimore siç është vallja dhe muzika popullore
2. Aftësimi i të rinjve në përvetësimin e lëvizjeve të valleve popullore
3. Njoftimi i të rinjve me kulturën e veshjeve kombëtare
4. Integrimi i të rinjve nga e gjithë Kosova në jetën kulturore përmes kërcimit
5. Njoftimi i të rinjve me institucionet kyqe të kulturës dhe turizmit në Prizren
6. Shkathtësimi i të rinjve në shfrytëzimin e lëvizjeve trupore për përçim të mesazhit
7. Formimi i lidhjeve dhe mundësia e depërtimit në organizata të ndryshme në regjionin e Kosovës
8. Njoftimi i të rinjëve me qytetin e Prizrenit
Në kamp morën pjesë 15 të rinjë nga Akllapi, Deçani, Fushë Kosova, Hajvalia, Llazareva, Malisheva, Mitrovica, Prishtina, Skënderaji e Prizreni të cilët ishin gjatë gjithë kohës nën mbikqyrjen dhe përcjelljen e ekipit të Lulus D.A. të përbërë nga 8 anëtarë dhe 3 vullnetarë.
Gjatë kampit pjesëmarrësit vizituan:
– punëtorinë e qepjes së veshjeve kombëtare Suvenir “Arta”
– Muzeun Arkeologjik të Prizrenit
– Lidhjen Shqiptare të Prizrenit
– Kalanë e Prizrenit
– Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” ku kanë parë shfaqjen “Jerusalemi”
– Shatërvanin
Nga ana tjetër ata mësuan të ndarë në dy grupe nga dy koreografi të valleve popullore me motive të Prizrenit të koreografuara dhe udhëhequra nga koreografet Luljeta Braha dhe Erza Galani.
Kampi zgjati nga 6 deri 9 prill pra 4 ditë me 3 netë bujtje në hotel me mëngjes. Pjesëmarrësve iu siguruan edhe shujta e drekës dhe darkës si dhe rifreskim gjatë ditës.
Kampi i vallëzimit, i pari në Kosovë, theksonte rëndësinë e vlerave tona duke filluar nga muzikat, koreografitë autentike, vizitat në vendet historike, e deri tek konsumimi i produkteve dhe ushqimeve vendore.
Pra gjithçka rreth kampit fëshkëllen “Ruaje tënden” ose siç e quan Lulus D.A. “Në gjurmët e traditës”.
Kampi u përmbyll sot, më 9 prill, për nderë të Ditës së Kushtetutës së Kosovës, me një shfaqje ku pjesëmarrësit në kamp performuan 4 valle me motive të Prizrenit, ata u pajisën me certifikata për pjesëmarrëse dhe dhurata ndërsa të pranishmëve, ndër të cilët ishte edhe Zëvendës Ministri i Kulturës Z. Sejnur Veshall, iu shpalosën aktivitetet gjatë kampit përmes një video prezantimi.
Lulu’s Dance Academy synon ta bëjë këtë një traditë të punës së tyre duke vazhduar në vitet e ardhshme me motive të rajoneve të tjera shqiptare.
