Ibrahim Qadrakut i është zëvendësuar masa e paraburgimit dhe i është vendosur masa më e lehtë e sigurisë ajo për paraqitje në stacion policor.Qadraku për dy muaj ka qenë në paraburgim lidhur me dyshimet për kryerjen e disa veprave penale gjatë tentim grabitjes së një argjendarie në qendër të Prizrenit ku u plagosën gjithashtu dy pronarët babë e bir.
Qadraku së bashku me Leutrim Latifin dyshohen se të maskuar dhe të armatosur tentuan që të grabisnin një argjendari në Prizren, e të cilët hasën në rezistencën e pronarit dhe djalit të tij ndërsa këta të fundit ishin plagosur nga armët.Pas këtyre veprimeve të njëjtit dyshohet se kanë kryer edhe disa vepra të tjera penale si, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje apo posedim të armëve pa leje, grabitje, sulm ndaj personave zyrtar si dhe asgjësim i pasurisë.
Këto vepra dyshohet se i kanë kryer të lartpërmendurit pasi që të njëjtit pasi kishin tentuar të grabisnin argjendarinë ishin larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa kishin grabitur një veturë të një kalimtari dhe gjatë ikjes dyshohet se kanë sulmuar edhe policinë, tutje kishin djegur veturën e qytetarit dhe ishin larguar me një veturë të tretë në drejtim të panjohur.Zëdhënësi i Gjykatës në Prizren, Marcel Lekaj në disa përgjigje për KALLXO.com ka treguar se ka qenë Prokuroria që ka kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të paraqitjes në stacion policor.





