Kuvendari i Prizrenit, Ilir Gashi, në një postim në facebook ka shkruar rreth lokaleve komunale që shfrytëzohen nga partitë politike.
Sipas tij këto lokale po shfrytëzohen ilegalisht nga partitë politike në Prizren.
Postimi i plotë i tij:
Partitë politike në Prizren i shfrytëzojnë ilegalisht lokalet komunale
Sot nga komuna e Prizrenit i sigurova kontratat për shfrytëzimin e lokaleve komunale nga ana e partive politike. Nga ajo që vërejta, asnjë parti nuk ka kontratë valide për shfrytëzimin e këtyre pronave komunale. Kjo i bie që, ligjërisht, mbajtja e këtyre lokaleve nga ana e partive politike është ilegale dhe se thjeshtë këto lokale mund të konsiderohen si të “uzurpuara” nga partitë politike.
Partitë politike përveç që financohen nga buxheti shtetëror (paraja e popullit) ato edhe “uzurpojnë” hapësirën tonë publike, hapësira të cilat do të mund të shfrytëzoheshin për qëllime më të mira në interes të përbashkët shoqëror.
Në bazë të kontratave të lidhura me komunën, Qiramarrësit (partitë politike) në afatin prej 60 ditësh para skadimit të afatit të shfrytëzimit të lokaleve do të duhej që me shkrim të parashtrojnë kërkesë për vazhdimin e kontratës.
Por, përveç që kërkesa të tilla nuk janë paraqitur, në bazë të ligjit në fuqi për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale (LIGJI NR. 06/L-092 PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS) nuk ka ndonjë dispozitë që i mundëson partive politike të shfrytëzojnë pronat komunale pa hyrë në proceset e tenderimit. Po ashtu ligji nuk jep ndonjë mundësi që partitë politike të paguajnë çmime simbolike (komike) prej 1 eurosh në muaj.
Prandaj, nëse partitë politike nuk deklarohen se menjëherë do t’i lirojnë pronat komunale, atëherë i takon inspektoratit që t’i shfrytëzojë mekanizmat ligjore në nxjerrjen jashtë të shfrytëzuesve të paligjshëm të pronës komunale (shoqërore). Së bashku me largimin e partive politike nga pronat komunale duhet të zbatohet edhe aksioni kundër uzurpatorëve privat (nëse ka mbetur ndonjë).
Edhe për kundër faktit që qiratë kanë shuma simbolike, megjithatë disa nga partitë politike nuk kanë paguar as ato shuma të pakëta të qirasë (1 euro në muaj për shfrytëzimin e lokaleve).
Ja lista e partive, datave të skaduar dhe qirave të (pa)paguara:
PDK – kontrata ka skaduar më 31.12.2019, hapësira 390m2, qiraja 1 euro në muaj, borxhi 0.00 euro.
LVV – kontrata ka skaduar më 31.12.2016, hapësira 380m2, qiraja 1 euro në muaj, borxhi 3.00 euro.
LDK – kontrata ka skaduar më 31.12.2019, hapësira 120m2, qiraja 1 euro në muaj, borxhi 12.00 euro.
AAK – kontrata ka skaduar më 31.12.2019, hapësira 98m2, qiraja 1 euro në muaj, borxhi 48.00 euro.
NISMA (ish BD) – kontrata ka skaduar më 31.12.2017, hapësira 72m2, qiraja 1 euro në muaj, borxhi 43.00 euro.
KDTP – kontrata ka skaduar më 31.12.2019, hapësira 100m2, qiraja 1 euro në muaj, borxhi 0.00 euro.
https://www.facebook.com/ilir21/posts/10224683054046373