Sot, në Shtëpinë e Bardhë të Komunës së Prizrenit është realizuar takimi mes kuvendarëve të PDK-së, Kryesueses së KK Prizrenit dhe përfaqësuesve të Rrjetit Ad Hoc të OShC-ve për gjuhën rome.
Përfaqësuesit që promovojnë diversitetin dhe gjuhën rome në komunën e Prizrenit, sëbashku me anëtarët e Rrjetit Ad Hoc të OShC-ve: znj. Elmedina Dorambari nga KDI dhe r. Bashkim Gashi nga KMDLNj, e informuan grupin e kuvendarëve të PDK-së për aktivitetet avokuese për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në komunën e Prizrenit.
Shefi i grupit të kuvendarëve të PDK-së, z. Adrit Krasniqi, deklaroi që edhe ata si pozitë e tanishme e qeverisë në Prizren, kanë diskutuar lidhur me statusin dhe procesin e kërkesës për gjuhën rome, por nuk kanë pasur informacione konkrete rreth kësaj dhe shprehu mirëpritjen për takimin informues.
Pas prezentimit të aktiviteteve dhe kërkesës nga përfaqësuesit për gjuhën rome, shefi i grupit të kuvendarëve të PDK-së, z. Krasniqi, në prezencë të kryesueses së KK Prizrenit, znj. Antigona Bytyqi dhe kuvendarëve të tjerë si: Drita Qenaj, Egzona Hoxhaj, Ymran Fusha, Driton Daqi, deklaroi se: ai dhe grupi i kuvendarëve të PDK-së do ta përkrahin kërkesën që gjuha rome të njihet me statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në komunën e Prizrenit.