Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke bërë të ditur se bisedimet për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës do të vazhdojnë.
Kurti ka thënë se në takim kanë marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri.
“Vazhduam bashkëbisedimin me kryetarin e LDK-së dhe bashkëpunëtorët e tij, Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri”, ka deklaruar Kurti.
Ai e ka cilësuar diskutimin si të hapur, të sinqertë dhe serioz, duke theksuar se është rritur mirëbesimi ndërmjet palëve.
“Diskutimi ishte i hapur, serioz, i sinqertë. Do të vazhdojmë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi biseduar me dhe për emra të përveçëm”, tha Kurti.
Megjithatë, Kurti sqaroi se emrat e diskutuar nuk janë persona për të cilët palët kanë marrë qëndrime paraprake.
“Nuk janë emra që ne i kemi pyetur paraprakisht, andaj në këtë fazë edhe nuk mund të flasim konkretisht për emra të veçantë, të cilët për herë të parë po i trajtojmë sot për president/e të ardhshme”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, krahas kritereve dhe parimeve për të cilat palët ishin dakorduar në takimin e kaluar, kësaj radhe janë diskutuar edhe emra konkretë.
“Për ato kritere e parime që jemi dakorduar herën e kaluar, ua kemi bashkangjitur edhe emrat konkretë që i kemi diskutuar”, tha ai.
Kurti e konsideroi këtë një hap të rëndësishëm në proces. “Ky është hap i rëndësishëm paraprak”, deklaroi ai.
Megjithatë, ai theksoi se negociatat mbeten të vështira, pasi sipas tij duhet të diskutohen gjerësisht dhe në hollësi të gjitha çështjet.
“Negocimi është shumë i vështirë sepse duhet të diskutohet hollësisht dhe gjerësisht, shumësia e emrave që trajtohen shtohet atëherë kur njërit prej bashkëbiseduesve në radhën kur ka fjalën sjell emër të ri dhe argumenton për filan personin e pastaj duhet të dëgjojë të tjerët çfarë mendojnë për atë person. Por lista zvogëlohet kur është e qartë se nuk mund të ketë dakordim për emër të përveçëm”, tha Kurti. /Telegrafi