LAJME

Kurti nga Samiti i Berlinit: BE-ja të mos e mbajë peng rrugën evropiane të Kosovës

Kurti nga Samiti i Berlinit: BE-ja të mos e mbajë peng rrugën evropiane të Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Tetor 2026, 15:01

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim, gjatë adresimit të tij në seancën plenare të Samitit të 13-të të Procesit të Berlinit, në Mal të Zi.

Kurti theksoi se Kosova ka përmbushur përgjegjësitë që varen nga ajo, ndërsa aplikimi i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 vazhdon të presë vendimin e BE-së. Ai rikujtoi se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit dhe kërkoi që Komisioni Evropian të përgatisë opinionin për aplikimin e saj.

Duke përgëzuar Malin e Zi për përparimin drejt anëtarësimit në BE dhe për organizimin e samitit, Kurti vlerësoi Procesin e Berlinit si platformë të bashkëpunimit të barabartë rajonal. Ai përmendi Tregun e Përbashkët Rajonal, integrimin gradual në tregun e vetëm evropian dhe përfitimet nga SEPA, që sipas tij pritet t’u kursejë qytetarëve dhe diasporës së Kosovës rreth 58 milionë euro në vit, si dhe korridoret e gjelbra tregtare dhe uljen e kostove të komunikimit mobil përmes parimit “Roam Like at Home”.

Kryeministri kritikoi moszbatimin e marrëveshjeve rajonale për njohjen e diplomave dhe letërnjoftimeve, të nënshkruara nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor më 2022, duke theksuar se marrëveshjet duhet të respektohen dhe se askush nuk duhet t’ua pengojë integrimin evropian vendeve që e dëshirojnë atë.

Duke folur për përparimin demokratik, Kurti tha se vlerësimet e pavarura e rendisin Kosovën ndër vendet me përparimin më të madh në Evropën Jugore, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ai nënvizoi se Kosova zbaton të gjitha sanksionet e BE-së kundër Rusisë që nga fillimi dhe se Moska nuk ka gjetur hapësirë për të krijuar përçarje në Evropë përmes Kosovës.

Në pjesën e sigurisë, Kurti paralajmëroi për rrezikun e sulmeve ndaj demokracive dhe infrastrukturës kritike, duke përmendur luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe sulmet ndaj infrastrukturës evropiane. Ai rikujtoi sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Varagë. Sipas Kurtit, Milan Radoiçiqi, i cili ka pranuar përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, i mbrojtur nga aparati shtetëror.

Ai kërkoi përgjigje të përbashkët ndaj sulmeve kundër demokracive evropiane, duke theksuar se reagimet e veçuara nuk mjaftojnë për të parandaluar kërcënimet, ndërsa anëtarësimin e Kosovës në NATO e cilësoi si një garanci shtesë të sigurisë.

Kurti ngriti gjithashtu çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke pretenduar se ata po shtyhen gradualisht jashtë jetës institucionale, publike dhe qytetare. Ai u bëri thirrje liderëve rajonalë dhe evropianë që t’i kushtojnë vëmendje kësaj çështjeje, duke nënvizuar se dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut duhet të mbeten vlera themelore të përbashkëta.

Në përfundim, kryeministri ritheksoi se Kosova do të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe kërkoi që përparimi i saj të pasohet me vendime konkrete nga institucionet evropiane.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika