Dhjetë persona janë arrestuar, si të dyshuar për kontrabandim me mallra, në veri të Kosovës.
Në 22 bastistjet, Policia bën të ditur se nëntë lokacione janë bastisur në Mitrovicë të Veriut, pesë në Zubin Potok, pesë në Zveçan dhe tre në Leposaviq.
Këto informacione i ka bërë të ditur për KALLXO.com, Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës i cili tha se ky hetim në bashkëpunim me Prokurorinë ka zgjatur gjashtë muaj.
Ndryshe, 22 automjete dhe mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro janë sekuestruar gjatë aksioneve të zhvilluara në veri të Kosovës, në kuadër të një hetimi disamujorë nën dyshimet për kontrabandë të mallrave nga Serbia.
Ndërkohë, janë identifikuar personat e dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari, ndaj të cilëve procedura penale është në vazhdim.
Që nga 24 prilli 2026 janë zbatuar masa të veçanta hetimore, të cilat kanë mundësuar identifikimin e rrugëve ilegale përmes të cilave mallrat futeshin në Kosovë, si dhe të lokacioneve ku ato shkarkoheshin dhe depozitoheshin para se të shpërndaheshin në treg.
Në periudhën maj-shtator 2026, sipas Prokurorisë, janë ndërmarrë mbi 20 aksione në zonat kufitare dhe në vendbanimet e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.
Gjatë hetimeve është konstatuar se automjetet e përdorura për këtë veprimtari, në shumicën e rasteve, ishin të modifikuara për kontrabandë, pasi u ishin hequr ulëset e pasme. Ndërkaq, drejtuesit e tyre, kur vërenin praninë e zyrtarëve policorë, i braktisnin automjetet dhe largoheshin nga vendi.
Operacioni i sotëm, më 22.10.2026, është zhvilluar me urdhër të gjykatës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
Sipas prokurorit të rastit, Muharrem Fejza, sot është zhvilluar vetëm procedura e kontrolleve.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë në fazën përfundimtare dhe se Prokurori i Shtetit, pas vlerësimit të të gjitha provave të siguruara, do të marrë vendimet përkatëse brenda afateve ligjore.