Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot në vizitë ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Jeffrey Hovenier, duke thënë se “Miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e padiskutueshme dhe shumë dimensionale.
“Për herë të parë sot Komunën e Prizrenit e vizitoi një Ambasador i SHBA-ve që shërben në Kosovë.
Kisha nderin dhe privilegjin ta pres sot Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Sh. T. Jeffrey M. Hovenier me të cilin biseduam për projektet e rëndësishme të Komunës së Prizrenit, partneritetin me Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë dhe bashkëpunimin me USAID-in.
Me këtë rast, Ambasadori Hovenier premtoi vazhdimësi dhe fuqizim të përkrahjes së Komunës sonë për shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me perspektivë që trajton në mënyrë të barabartë çdo qytetar të Komunës së Prizrenit, bazuar në tolerancën dhe paqen në të cilën jetojnë të gjithë tek ne. Theks të veçantë i dha formalizmit të gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në Prizren.
Jemi të përkushtuar për forcimin e partneritetit me SHBA-të, si miku ynë i të gjitha kohërave, si dhe për koordinim të rregullt e të vazhdueshëm me amerikanët.
Sot, bëmë edhe hapjen zyrtare të Këndit Amerikan dhe të Bibliotekës së Qytetit të cilat vijnë në një lokacion të ri, më të përshtatshëm ku do të organizohen aktivitete të shumta dhe do të shërbejnë për shkëmbim përvojash e idesh për të gjithë banorët e Komunës së Prizrenit.
Faleminderit Ambasador Jeffrey M. Hovenier!”, ka shkruar në favebook, kryetari Totaj.