Dejan Pantiqi, ish-zyrtari policor i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese në zyrat e KQZ-së iu është ndryshuar masa e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me lirimin e Pantiq nga paraburgimi për të cilin, ai tha se e ka statusin e të burgosurit dhe është i pandehur për terrorizëm.
Kurti tha se ka dëgjuar se Pantiq ishte në grevë urie dhe kishte probleme me zemër, sipas tij do mund të dërgohej në spital.
“Unë nuk e di çështjen gjyqësore procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar në qëndrim të paraburgimit.
Ai e ka statusin e të burgosurit por njëkohësisht është i pandehur për terrorizëm.
Ajo çfarë kam dëgjuar se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër do mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme, a është e arsyeshme? E vendos gjyqësori”- deklaroi Kurti.
Kreu i ekzekutivit u shpreh kureshtar të dijë se cili është prokurori që e ka bërë kërkesën për arrest shtëpiak dhe gjyqtari që e ka aprovuar të njëjtën.
“Pra është gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e kërkesës së përkatësit të prokurorit, mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta shoh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon” – shtoi Kurti.
Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.