LAJME

Kosovë–Shqipëri nënshkruhen dy marrëveshje për bashkëpunim në bujqësi

Kosovë–Shqipëri nënshkruhen dy marrëveshje për bashkëpunim në bujqësi
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Qershor 2026, 18:02

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë me ftesë të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve.

 

Gjatë vizitës, palët kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi që synojnë avancimin e politikave të përbashkëta në sektorin agro-ushqimor, si dhe rritjen e standardeve në sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe fitosanitaret.

Sipas komunikatës, marrëveshjet parashohin gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit në zhvillimin rural, mbështetjen e fermerëve përmes politikave bujqësore dhe skemave financiare, si dhe përafrimin me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.

Një nga prioritetet e bashkëpunimit është edhe modernizimi i sektorit bujqësor përmes digjitalizimit të shërbimeve, si dhe forcimi i kapaciteteve në kërkimin shkencor, inovacion dhe transferimin e teknologjive bashkëkohore.

Ky bashkëpunim vlerësohet si hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik Kosovë–Shqipëri dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në të dy vendet.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika