Kosova vazhdon të përballet me rezultate të dobëta në arsimin parauniversitar. Të dhënat e testit ndërkombëtar PISA 2025 tregojnë se performanca e nxënësve 15-vjeçarë ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2022 në shkencë dhe lexim, ndërsa në matematikë është shënuar rënie.
Në PISA 2025, që u zhvillua nga 10 deri më 30 maj të vitit 2025, morën pjesë 6 mijë e 632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës.
Në shkencë, nxënësit kosovarë kanë marrë mesatarisht 357 pikë, rezultat i njëjtë me atë të vitit 2022. Në lexim janë arritur 340 pikë, krahasuar me 342 pikë në vitin 2022.
Rënia më e theksuar është evidentuar në matematikë. Nxënësit kanë marrë mesatarisht 350 pikë, pesë pikë më pak se në testimin e vitit 2022.
Rezultati më i lartë është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me 359 pikë.
Megjithatë, rezultatet në katër treguesit kryesorë të performancës mbeten nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – OECD.
Vajzat më të suksesshme se djemtë
Të dhënat e PISA 2025 tregojnë edhe një dallim të dukshëm gjinor në rezultatet e nxënësve.
Vajzat kanë shënuar rezultate më të larta se djemtë në të tri fushat e vlerësuara.
Në shkencë, vajzat kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347, me një diferencë prej 19 pikësh.
Dallimi është edhe më i madh në lexim, ku vajzat kanë arritur 358 pikë, krahasuar me 322 pikë të djemve – një diferencë prej 36 pikësh.
Në matematikë, ndërkaq, rezultatet janë pothuajse të barabarta: 351 pikë për vajzat dhe 350 për djemtë.
Vetëm një pjesë e vogël arrin nivelin bazë
Një tjetër shqetësim i evidentuar nga rezultatet e PISA 2025 është numri i ulët i nxënësve që arrijnë të paktën Nivelin 2 të aftësive.
Në shkencë, këtë nivel e kanë arritur rreth 21 për qind e nxënësve, në matematikë vetëm 15 për qind, ndërsa në lexim rreth 16 për qind.
Në të njëjtën kohë, numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i vogël.
Raporti rekomandon një qasje të dyfishtë: mbështetje më të madhe për nxënësit me rezultate të ulëta, por edhe programe të veçanta për identifikimin dhe zhvillimin e talentit te nxënësit me performancë të lartë.
Mungesat në shkollë, një tjetër shqetësim
Problem tjetër i evidentuar është edhe vijueshmëria në shkollë.
Rreth 54 për qind e nxënësve kanë raportuar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56 për qind kanë munguar së paku në një orë mësimore.
Sipas gjetjeve, kjo tregon nevojën për mekanizma më të mirë të monitorimit të vijueshmërisë dhe për një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet shkollës, prindërve dhe nxënësve.
Rekomandimet për përmirësimin e arsimit
Në raport janë dhënë një sërë rekomandimesh për përmirësimin e rezultateve të nxënësve.
Ndër to janë forcimi i të nxënit bazë në matematikë, shkencë dhe lexim, zhvillimi i mësimdhënies përmes zgjidhjes së problemeve dhe situatave reale, si dhe forcimi i mendimit kritik dhe aplikimit praktik të njohurive.
Rekomandohet gjithashtu zhvillimi i programeve për nxënësit me performancë të lartë, forcimi i zhvillimit profesional të mësimdhënësve, përmirësimi i klimës së të nxënit dhe disiplinës pozitive, si dhe përdorimi më efektiv i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në procesin mësimor.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe familjes, veçanërisht në mbështetjen e nxënësve dhe përmirësimin e vijueshmërisë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do t’i analizojë të gjitha gjetjet dhe të dhënat e PISA 2025, ndërsa raporti pritet të shërbejë si referencë për ndërhyrjet dhe përmirësimet sistematike, metodologjike dhe pedagogjike në arsimin e Kosovës.
Rezultatet e fundit të PISA-s rikthejnë edhe një herë në vëmendje nevojën për reforma konkrete në sistemin arsimor, veçanërisht në forcimin e aftësive bazë të nxënësve dhe përgatitjen e tyre për zbatimin e njohurive në situata reale të jetës.