I akuzuari Bekim Xhaferi të hënën ka kërkuar përjashtimin e prokurorit pasi, sipas tij, është treguar njëanshmëri gjatë procesit gjyqësor.
Rasti i tentim-vrasjes sipas aktakuzës erdhi si rezultat i mosmarrëveshjeve të mëparshme lidhur me rrugën dhe largimin e cungjeve nga rruga.
Rinor Xhaferi ngarkohet se gjatë përleshjes ka goditur me thikë Agron Sopajn. Bekim Xhaferi akuzohet se merr pjesë në rrahje, ashtu që së bashku me birin e tij, të akuzuarin Rinor Xhaferi, me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit Agron Sopajn.
Kurse, Sopaj akuzohet se gjatë përleshjes, me grushte e godet Bekim Xhaferin.
Në shqyrtimin e sotëm, i akuzuari Bekim Xhaferi ka përshkruar veprimet e afërta të prokurorit me palën e kundërt.
“Kërkoj përjashtimin e prokurorit Genc Nixha, për arsye se më 20 shtator 2022, pikërisht në këtë sallë i drejtohet palës së kundërt, Agronit në këtë rast dhe pas disa bisedave ia bën: ‘mos ta nin se tash mu me ki’”- tha Bekim Xhaferi.
Xhaferi më tej ka shtuar se nga Prokuroria nuk ishte ndërhyrë edhe në një rast kur ishte kërcënuar avokati Esat Gutaj.
“Me datë 7 nëntor 2022 pikërisht në këtë sallë pasi trupi gjykues del prej sallës ne ishim duke i pritur procesverbalet, ku pikërisht Agron Sopaj, pasi që e nënshkruan procesverbalin i afrohet derës, prej derës në prezencë të prokurorit kthehet dhe i drejtohet Esat Gutës: ‘Me ba me të shti në dorë ti hala s’e din se çka të bëj’”-tha Xhaferi.
E këto pretendime i kundërshtoi prokurori Genc Nixha.
“Po të kishte vepruar zotëriu me kohë ndoshta kjo çështje edhe do të ishte zgjidhur, po mendoj për vërejtjen e parë që kinse i paskam thënë të akuzuarit Agron ‘mos baj dert se unë jam këtu’, po ashtu sa i përket konstatimit të dytë që paskam qenë këtu ku i akuzuari Agron e paska kërcënu avokatin Esat dhe nuk paskam vepru, është dashur të reagohet, këtë punë ka mundur ta bëjë edhe vetë avokati Gutaj”-u shpreh prokurori Nixha.
Ndërkaq, avokati Esat Gutaj konsideroi se nuk ndihet i kërcënuar. Ai arsyetoi se pakënaqësitë e Agron Sopajt mund të ishin për shkak se ishte mbrojtës i të akuzuarit Rinor Xhaferi dhe çështja ishte e tensionuar.
Në anën tjetër, Agron Sopaj i quajti gënjeshtra dhe të pavërteta deklarimet e të akuzuarit Xhaferi.
“Është gënjeshtër –rrenë e të akuzuarit për tentim vrasje – Bekim Xhaferi, mendoj për t’u nxjerrë nga situata e thotë këtë gjë” – tha mes tjerash Sopaj.
Në lidhje me propozimin për përjashtimin e prokurorit, Gjykata në ditët në vijim pritet të marrë vendim.
Sipas aktakuzës, Rinor Xhaferi akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, por vepra nuk është realizuar.
Sipas Prokurorisë, më 20 maj 2017, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, lidhur me rrugën dhe largimin e cungjeve prej rrugës, nga ana e të dëmtuarit Agron Sopaj, i akuzuari Rinor Xhaferi së bashku me babanë e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit Agron Sopaj, ku fillimisht përleshen me grushte, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin Agron Sopaj në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit, afër zemrës, dhe një herë në regjionin e abdomenit.
Për këto veprime, Rinor Xhaferi akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.
Ndërsa, Bekim Xhaferi, akuzohet se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, ashtu që së bashku me të birin e tij, të akuzuarin Rinor Xhaferin, me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Agron Sopaj.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, Bekim Xhaferi, akuzohet se ka kryer veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.
Kurse, Agron Sopaj akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin Bekim Xhaferin, të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nëngjurit të majtë dhe lëndime të tjera.
Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes, Rinor Xhaferin e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.
Me këto veprime, ai akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprat penale – lëndim i rëndë trupor si dhe lëndim i lehtë trupor.
Kujtojmë se në tetor të vitit 2018, Rinor Xhaferin, Gjykata e kishte shpallur fajtor për veprën – lëndim i rëndë trupor dhe e kishte dënuar me 15 muaj burgim.
Kurse, Bekim Xhaferi ishte shpallur fajtor për veprën pjesëmarrje në rrahje dhe ishte dënuar me 3 muaj burgim.
Ndërsa, Agron Sopaj ishte shpallur fajtor për veprat – lëndim i rëndë trupor dhe lëndim i lehtë trupor. Për lëndim të rëndë trupor, Sopaj ishte dënuar me gjashtë muaj burgim kurse për lëndim të lehtë trupor ishte dënuar me tre muaj burgim. Dënimi unik i shqiptuar ndaj tij kishte qenë tetë muaj burgim efektiv.
Por, pasi palët kishin ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2019 e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.