LAJME

KOMF: Niveli i higjienës në repartet e pediatrisë është më i ulët krahasuar me repartet e tjera

KOMF: Niveli i higjienës në repartet e pediatrisë është më i ulët krahasuar me repartet e tjera
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Korrik 2026, 07:52

Koalicioni i Organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), përmes një komunikate, ka thënë se e drejta e fëmijës për kujdes shëndetësor është e garantuar me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës.

Sipas KOMF, për garantimin e kësaj të drejte është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë.

KOMF ka njoftuar se sipas hulumtimit të realizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, organizatë anëtare e KOMF, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit për matjen e kënaqshmërisë dhe përvojave të pacientëve, janë evidentuar mangësi të shumta, veçanërisht në shërbimet shëndetësore për fëmijët.

“Pacientët e Repartit të Pediatrisë u renditen ndër repartet me nivelin më të ulët të kënaqshmërisë krahasuar me pacientët e reparteve të tjera. Në këtë kanë ndikuar faktorë të ndryshëm, si qasja ndaj pacientëve, cilësia e shërbimeve mjekësore, infermierore dhe diagnostike, kushtet infrastrukturore dhe higjiena, furnizimi me barna, cilësia e ushqimit, etj”- thuhet në njoftim.

Ndërsa theksohet se “të dhënat po ashtu tregojnë se niveli i higjienës në repartet e pediatrisë është më i ulët krahasuar me repartet e tjera, duke ngritur shqetësime serioze për cilësinë dhe sigurinë e kujdesit që u ofrohet fëmijëve”.

Sipas KOMF, përvojat e pacientëve duhet të shërbejnë si një burim i rëndësishëm për identifikimin e mangësive dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, ndërsa përjashtimi i tyre nga procesi i vlerësimit është i paparanueshëm dhe rrezikon që problemet reale të mbeten të padukshme dhe të paadresuara.

“Është e domosdoshme që institucionet shëndetësore të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e kushteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe garantimin e shërbimeve cilësore me në qendër fëmijën” – thuhet tutje në komunikatë.

KOMF ka shtuar se zëri i prindërve duhet të jetë pjesë e pandashme e çdo vendimmarrjeje për shëndetësinë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika