LAJME

Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës kërkon hetim për rolin e Kishës Ortodokse Serbe në rastin e spiunazhit

Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës kërkon hetim për rolin e Kishës Ortodokse Serbe në rastin e spiunazhit
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Gusht 2026, 11:36

Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës (KOAK) ka reaguar lidhur me gjetjet e Prokurorisë Speciale për rastin e dyshuar të spiunazhit dhe bashkëpunimin e Fatmir Shehollit me strukturat e BIA-s.

Në reagimin e saj, KOAK ka shprehur shqetësim dhe ka kërkuar nga organet e shtetit dhe institucionet e Kosovës që të hetojnë plotësisht edhe rolin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe lidhjet e mundshme të saj me këtë rrjet.

“Lidhur me gjetjet e Prokurorisë Speciale për rastin e spiunazhit të BIA-s dhe bashkëpunimin e Fatmir Shehollit me strukturat përkatëse, Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës (KOAK) shpreh shqetësimin e thellë dhe kërkon që organet e shtetit dhe institucionet e Republikës së Kosovës të hetojnë plotësisht edhe rolin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe lidhjet e saj me këtë rrjet. Kisha Ortodokse Serbe ka shkelur vazhdimisht ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, veçanërisht Ligjin për objektet e trashëgimisë kulturore. Tendenca e saj për të përvetësuar trashëgiminë kulturore mesjetare shqiptare ka shkuar përtej objekteve të mbrojtura, duke përfshirë kishën e Rakinicës, mbetjet arkeologjike në Pollat, Kalanë e Artanës, kishën mesjetare në Kabash të Prizrenit, shpellën në një fshat të Lipjanit dhe shumë raste të tjera. Këto veprime janë kryer nën hundën e shtetit, pa asnjë masë ndaj tejkalimit të autorizimeve, ligjeve dhe Kushtetutës.” – thuhet në njoftim.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosoves nën drejtimin e Kryepeshkopit Nikolla, thekson se është e zotuar të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, sepse asaj i shërben.

Në të njëjtën kohë, ajo thotë se lutet çdo ditë që trashëgimia mesjetare ortodokse e Kosovës, e cila aktualisht sipas KOAK, është e uzurpuar nga Kisha Serbe, si rezultat i marrëveshjeve të padrejta që dolën nga bisedimet e Vjenës për statutin e Kosovës dhe procesin e pavarësisë, të kthehet nën menaxhimin e saj të ligjshëm.

Po aq shqetësuese, sipas Kishës janë projektet e Serbisë për të radikalizuar shqiptarët e besimit islam.

“Serbia duhet të dijë se shqiptarët jetojnë mbi një mijë vjet me besime të ndryshme. Sado që të investojë, ajo nuk mund të përçajë vëllezërit shqiptarë – muslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë, bektashi apo të çfarëdo besimi tjetër – sepse ne shqiptarët kemi identitetin tonë, gjuhën, kulturën dhe gjakun e përbashkët. Prandaj, organet e ndjekjes dhe gjykatat e Kosovës inkurajohen që të gjithë ata që janë të përfshirë në përçarje, agjentura dhe projekte serbe të dënohen maksimalisht. Në këtë rast, edhe spiuni Fatmir Sheholli. Rroftë populli i Kosovës! Rroftë populli shqiptar! Të bekuara qofshin të gjitha institucionet e Kosovës!” – thuhet tutje në reagim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika