Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se është turp që krerët e shtetit po shkojnë në SHBA e vende të tjera dhe nuk po merren me punëtorët e Kosovës.
Ai paralajmëroi veprime të radhës sindikaliste nëse kërkesat e sindikatave nuk përmbushen.
“Qeveria sot po e sheh që nuk po flet Atdhe Hykolli, as Rrahman Jashari, as Sali Gashi, por po flet punëtoria e Kosovës. Qeveri këta janë njerëzit tu, i kanë sytë drejt teje dhe është turp të qëndroni nën hije, të qëndroni në Amerikë e gjetkë e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve. Qeveri ne po i lutemi zotit që të këndelleni dhe t’i realizoni kërkesat. Në të kundërtën pas kësaj proteste do të ketë veprime edhe më të rënda që ne nuk i duam por ju si duket po i doni”, tha ai para protestuesve.
Jasharaj shtoi se po kërkojnë ligj të pagave që punohet edhe me përfshirjen e përfaqësuesve të sindikatave të punëtorëve.
“Heshtja e qeverisë, ikja nga dialogu tregon se ne kemi të drejtë. Ne e duam ligjin e pagave por jo ligj që na punon dikush por ligj që e punojmë edhe ne”.
Kërcënoi se zgjidhje e vetme do të jetë greva ose bisedimi në Qeveri.
“Qeveria që po thotë se është e Kosovës, le të tregohet se është e tillë. Kjo janë njerëz që edhe në vitet 90 i kanë thënë pushtuesit jo, i kanë thënë Kosovës po. Këta njerëz tani që ishin të Kosovës po dalin me pensione të pleqnisë e shteti po tallet me ta. Ose do të bisedojmë, ose do të ftojmë në greva të përgjithshme”, përfundoi Jasharaj.