Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i shoqëruar nga drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Ballkanin Perëndimor, Mateo Colangeli dhe nga drejtori i Zyrës së BERZh-it në Kosovë, Neil Taylor, kanë bërë sot inaugurimin e projektit të rrugës Arbanë – Landovicë, e quajtur “Hyrja në Prizren”.
Zgjerimi i kësaj rruge rajonale e financuar nga BERZh-i dhe e mbështetur nga Qeveria e Kosovës ka shkarkuar mjaft trafikun në qytetin e Prizrenit. “Këso projekte me standarde evropiane do të realizohen edhe në komuna të tjera të Kosovës”, tha Liburn Aliu dhe shtoi se “jemi të vendosur që të gjitha projektet, edhe përkundër telasheve të shumta që kanë, të vazhdojmë t’i përfundojmë”.
Prioritet për ministrin Aliu dhe dikasterin e tij është edhe hekurudha drejt bregdetit si dhe rruga Prizren – Tetovë.
“Jemi në fazën e fizibilitetit. Kemi bërë marrëveshje me Republikën e Shqipërisë, ku kemi nënshkruar marrëveshjen për financim të përbashkët dhe kanë filluar procedurat e prokurimit. Ky projekt, përpos fizibilitetit, e ka edhe projektin preliminar”, ka thënë ministri Aliu.





