Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.
A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.





