Në fshatin Zatriq të Komunës së Rahovecit është inauguruar Parku i Erës me kapacitet të instaluar prej 70 megavatësh (MW), një nga investimet më të rëndësishme në fushën e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Turqisë në Kosovë, Şeyda Çimeli Aydın, drejtori i Bordit të Çalık Holding, Ahmet Çalık, drejtori i përgjithshëm i Çalık Renewables, Emre Erdoğan, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve të projektit.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se inaugurimi i parkut të erës në Zatriq përbën një hap të rëndësishëm për të ardhmen energjetike të Kosovës dhe për rritjen e prodhimit të energjisë nga burime të pastra.
“Kosova ka potencial të madh për energji të ripërtëritshme. Si qeveri po ndërmarrim hapa konkretë për ta shfrytëzuar këtë potencial përmes investimeve të mençura dhe në interes të qytetarëve dhe gjeneratave të ardhshme”, u shpreh Kurti.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se Rahoveci po shndërrohet në qendër të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, duke qenë komuna e parë që ka kapacitete të energjisë së erës dhe që pritet të zhvillojë edhe projekte solare.
Sipas saj, parku i erës do të prodhojë rreth 185 gigavat-orë (GWh) energji të pastër në vit, duke mbuluar konsumin vjetor të rreth 45 mijë amvisërive.
Rizvanolli shtoi se prodhimi i energjisë nga era gjatë muajve të ftohtë do të ndikojë në zvogëlimin e nevojës për importe të energjisë elektrike dhe do të forcojë sigurinë energjetike të vendit.
Projekti është zhvilluar nga kompania EV Wind Park SH.P.K., në partneritet me Çalık Renewables dhe Eurokos Holding, në përputhje me standardet e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC).
Financimi është siguruar nga banka gjermane Helaba, ndërsa projekti është garantuar nga agjencia zvicerane për sigurimin e eksporteve SERV (Swiss Export Risk Insurance).
Përurimi i Parkut të Erës në Zatriq shënon një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve të Kosovës për prodhimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve energjetike, rritjen e sigurisë energjetike dhe tranzicionin drejt një sistemi më të qëndrueshëm.
+
