Komuna e Prizrenit ka njoftuar se drejtori i Emergjencave dhe Sigurisë, Sead Arifi, së bashku me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Njësisë së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, ishin të mërkurën në terren për ta inspektuar nga afër zonën ku ka shpërthyer zjarri në Parkun Kombëtar “Sharri”, nën majën e Vrtopit, në lartësi prej rreth 2.500 metrash mbi nivelin e detit.
Sipas njoftimit, për shkak të terrenit të vështirë dhe të paarritshëm, shërbimet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar për parandalimin e përhapjes së zjarrit dhe si masë shtesë, është angazhuar edhe ekipi i vëzhgimit të terrenit me dronë.





