Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se po mendon të kthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për shkak të problemeve sipas tij, me Kosovën.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti tha se këto deklarata duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropia, por Kosova nuk brengoset, shkruan Reporteri.net.
“Ne kemi ushtrinë tonë. E gatshme, dhe tanimë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse. Më me qetësi, më me qetësi!”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Kujtojmë se në muajin nëntor, Vuçiç ngjalli reagime të ashpra kur e krahasoi ngërçin e Kosovës me atë të Nagorni Karabakut, e duke iu referuar luftimeve mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, u përpoq të tregonte sesi edhe “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”.
Ky është postimi i plotë i Hotit:
Presidenti i Serbisë kërkon rikthimin e shërbimit të detyruar ushtarak në Serbi shkaku i Kosovës!
Këto deklarata duhet të merren me shqetësim nga Bashkimi Evropian. Por, ne nuk brengosemi.
Ne kemi ushtrinë tonë. E gatshme, dhe tanimë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse.