LAJME

Haxhiu: Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike

Haxhiu: Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Gusht 2026, 09:46

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj, siç ka thënë, përfshirjes dhe presionit ndaj stafit profesional të Kuvendit në përplasjet politike.

Haxhiu përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se mospajtimet politike duhet të mbeten mes bartësve të përgjegjësive politike dhe se opozita nuk duhet të përfshijë zyrtarët profesionalë të Kuvendit në këto përplasje.

“Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka kërkuar që çdo vërejtje ndaj punës së saj të adresohet drejtpërdrejt tek ajo ose përmes mekanizmave institucionalë.

Sipas Haxhiut, zyrtarëve profesionalë nuk duhet t’u atribuohen motive politike vetëm për shkak të detyrave që kryejnë në kuadër të Kuvendit.

“Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë”, ka theksuar ajo.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se e dënon publikisht një sjellje të tillë dhe ka kërkuar që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe përmes rrugëve institucionale, e jo përmes sulmeve apo insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika