Naxhie Shehu nga Krusha e Vogël tash e 23-vjet nuk di asgjë për djalin dhe burrin e saj. Ajo ka treguar ditën kur serbët ua morën djalin nga dora dhe ndanë këtë familje.
Gruaja nga Krusha tash e 23-vjet jeton me shpresën që një ditë do ta dijë fatin e më të dashurve të saj.
Ndonëse mosha e ka rënduar, kujtimet e asaj dite ende mbesin të freskëta në mendjen e saj.
“Djalin dhe burrin i kam të zhdukur. Djali pa i mbush 16-vjet, burri 55-vjet. Forcat serbe të fshatit paramilitarë, na kanë marrë dhe ne jemi mbledh atje lart, me një shtëpi. Na përzënë prej aty dhe poshtë, kemi ardh dhe jemi mbledh. Aty tani, mua dhe djalin tim dhe të një tjetrës, prej dorës na kanë ndalu dhe serbisht iu tha: ‘Kthehu mbrapa”.
Neve na tha: ‘Shkoni ju, ose mbyteni në lum ose shkoni në Shqipëri’. Dhe na kanë dërguar poshtë. Të gjitha gratë e fshatit janë shku, unë kam qëndruar e fundit, nuk kam deshtë me shkuar, se kam dashtë me shiku çka po i bëjnë djalit… Djalit i thashë: ‘Hajde poshtë’. Veshe i thash pallton që e kam pas, nuk e kom vesh hiç. E kam lanë për djalin. Djali më tha: ‘Jo, krejt këta janë pa mantilla, veç unë jo’. Dhe e kom lan aty. Kur jemi ardh poshtë, unë s’kam dashtë me shku, kam deshtë me shiku çka po behet, dhe vjehrrën time e kam pas me veti dhe dy gra tjera. Ne kemi thënë s’po shkojmë. Tjerave ju kam thënë, shkoni ju lartë, këqyrni çfarë po ndodh, atëherë kthehuni. Dhe këtu shkuan deri diku dhe u kthyen. Unë e kam dëgjuar krismën. Kanë kris dhe prej aty s’kom mbajt shpresë që me qenë këta”, ka thënë ajo, derisa ka një kërkesë edhe për institucionet e Kosovës.
Thotë se familja Shehu janë 40 (të masakruar).
“Ju lutem kryeministrit, kryetarit e të gjithëve që t’iu bëjë presion ndërkombëtareve, sepse neve serbët e Krushës na kanë marrë. Serbët e Krushës na kanë bërë këtë. Ne s’kemi dashtë me ikë prej fshatit. Kemi deshtë me qëndru në fshat… Kur jemi zgjuar në mëngjes kamioni i mbuluar me të zeza, ka hy në oborr timin, ne kemi ikë, kemi shku të shkolla. Kur kemi dalë të shkolla kanë gjuajt me na vrarë neve, mirëpo neve s’na gjeti asgjë dhe kemi ikë… Çdo shtëpi të serbit kam hy unë kur jam ardh poshtë. Të gjithë i kam lut me shku se fëmijën na kanë ndal, le të na lëshojnë fëmijët. Mirëpo kurrfarë përgjigje s’na kanë dhënë… I lutem (institucioneve përgjegjëse) që me na gjet sa ma shpejtë, se unë që 23-vjet nuk kam shenjë ku me shku, me ngul një lule dhe me qajtë”, u shpreh ajo.
Kujtojmë që 23 vite me parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën. /kp/