Greqia e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja Chryssoula Aliferi, udhëheqëse e Zyrës ndërlidhëse të Athinës në Prishtinë.Por, pozicioni i Greqisë karshi pavarësisë së Kosovës, “mbetet i pandryshuar”, shtoi Aliferi.Greqia, tha ajo, mbështet konsolidimin e paqes, demokracisë, stabilitetit, sigurisë, zhvillimit ekonomik si dhe sundimin e ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë sfond, Greqia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Prishtinën, si dhe dialogun ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së”, tha Aliferi.Aliferi po ashtu përsëriti se Athina zyrtare e ka ftuar ministren e re të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvallën për vizitë zyrtare në Greqi dhe se “data për këtë do të caktohet me kohë”.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me Aliferin më 15 prill, kishte kërkuar që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Greqia është në mesin e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.Sipas një liste të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosovën deri më tani e kanë njohur 117 shtete.Shteti i fundit që ka njohur Kosovën është Izraeli dhe të dyja shtetet, zyrtarisht, vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt.Njohja nga Izraeli derivon nga Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje u arrit më 4 shtator, 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.Sipas kësaj marrëveshjeje, veç tjerash, Serbia është zotuar që të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ndërkaq Kosova është zotuar se nuk do të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare për një periudhë njëvjeçare.